INTERVISTA/ Nexhmije Hoxha: Si e njoha Enverin dhe kushti që vendosa për...

INTERVISTA/ Nexhmije Hoxha: Si e njoha Enverin dhe kushti që vendosa për t’u martuar me të

Shperndaje në Facebook.


Takimi i parë me Enverin!

– Në çfarë rrethanash jeni njohur me Enver Hoxhën?

HOXHA: Për herë të parë e kam njohur atë në demonstratën e 28 tetorit 1941, në prag të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, për të cilën kishin rënë dakord katër grupet komuniste. Në këtë demonstratë pashë një demonstrues shtatlartë, që dallonte mbi të rinjtë e tjerë, i cili po shqiste me forcë nga duart e policëve fashistë një të ri të imët, që ishte aktivisti komunist (poeti Gjikë Kuqali, që mbeti në kampin famëkeq nazist të Prishtinës). Pyeta se cili ishte ai djali shtatlartë. Më thanë se ishte një profesor i Liceut të Korçës dhe se quhet Enver Hoxha. Unë nuk e njihja, pasi bëja pjesë në Grupin Komunist të Shkodrës, kurse ai në Grupin e të Rinjve.

Herën e dytë e pashë dhe e njoha nga afër Enverin në Mbledhjen e Themelimit të Rinisë Komuniste Shqiptare, që u bë në shtëpinë e kosovares trime, Bije Vokshi. Meqë unë u zgjodha në Komitetin Qendror të Rinisë Komuniste, që përbëhej prej 5 anëtarësh (në të u zgjodh edhe Ymer Pula, të cilin shumë shpejt Enveri e dërgoi në Kosovë, për të punuar atje me rininë), më binte rasti të shihesha me Enverin, i cili vinte shpesh në mbledhjet e KQ të Rinisë. Po ashtu, duke qenë të dy në ilegalitet në Tiranë, shiheshim me njëri-tjetrin në mbledhje të ndryshme dhe në bazat ilegale që na strehonin. Pas disa takimeve të tilla, i pëlqyem njëri-tjetrit dhe u dashuruam. Për lidhjen tonë njoftuam menjëherë familjet tona, si dhe shokët e udhëheqjes së Partisë dhe shoqet e mia të ngushta. Por, lufta na mbante për muaj të tërë larg njëri-tjetrit. Sipas kushtit që kisha vendosur unë, ne u martuam pas çlirimit të vendit, në prag të Vitit të Ri 1945.

– Çfarë kujtoni ju nga themelimi i PKSH-së?

HOXHA: Unë nuk kam marrë pjesë në mbledhjen themeluese, por kam qenë një nga militantet e vendosura për arritjen e kësaj ngjarjeje të madhe historike dhe jetike për kohën që kalonte Shqipëria nën pushtimin fashist. Duke qenë shumë afër me Vasil Shanton dhe Qemal Stafën, kam qenë në korrent të të gjitha përpjekjeve që janë bërë, si para ashtu edhe gjatë mbledhjes. Di gjithashtu që në të mori pjesë, si anëtar i Grupit të të Rinjve, edhe kosovari Elhami Nimani. Vetëm një javë pas themelimit të partisë u formua celula e parë (organizatë-bazë) e shoqeve që bënin pjesë në grupe të ndryshme komuniste.

nexhmije-hoxha

Të 7 anëtarët që u zgjodhën në Komitetin Qendror Provizor të Partisë nuk kishte asnjë nga kryetarët që drejtonin më parë grupet komuniste. Kjo u bë për të evituar çdo ringjallje të ndonjë acarimi të vjetër, që i mbante grupet e ndara.

PKSH-në nuk e kanë formuar jugosllavët!

Në KQ Provizor nuk u zgjodh një kryetar i ri i tij, por vetëm u bë një ndarje pune dhe iu la kohës që të vërtetonte me punë dhe me aftësi atë që e meritonte këtë përgjegjësi. Qemal Stafa u caktua me Rininë Komuniste, Enver Hoxha u zgjodh Sekretar Politik për Qarkun e Tiranës. Në fakt, ai u bë ndërlidhësi edhe me komitetet e partisë në qarqet e tjera. Duke qenë se shokët ishin të shpërndarë në postet e detyrat që impononte lufta, Enver Hoxha zhvillonte me qarkoret e partisë një korrespondencë të gjallë, efektive. Me sa di unë, ekzistojnë edhe dokumente të botuara nga kjo korrespondencë. Enveri mbajti lidhje të ngushta edhe me shokët komunistë në Kosovë, duke shkruar letra, thirrje, artikuj… Në bilancin që bëri Konferenca e Parë e Vendit (që pati funksionet e një kongresi të partisë), në Labinot të Elbasanit, në mars 1943, kjo veprimtari e Enverit bëri që ai të zgjidhet sekretar politik i KQ të PKSH.

Për zbatimin e programit dhe të thirrjes së Partisë sonë të re Komuniste, në ballë të të cilave ishte lufta kundër pushtuesit fashist për çlirimin e Shqipërisë, me moton “Vdekje fashizmit – liri popullit!”, ne u mobilizuam totalisht.

nexhmije

– Janë hedhur dyshime se PKSH ka qenë një filialë partiake me Partinë Komuniste Jugosllave. Cili është opinioni juaj?

HOXHA: Është thënë edhe se PK të Shqipërisë e ka formuar PK e Jugosllavisë. Këto nuk janë të vërteta. Përfytyroni e krahasoni se ç’mund të bënte një kuadër si Miladin Popoviqi, përpara komunistëve të tillë si Enver Hoxha, Qemal Stafa, Koço Tashko dhe të tjerë, të cilët kishin një njohje të gjerë të historisë, të traditave e të psikologjisë, të gjendjes politiko-shoqërore të popullit shqiptar, nga veriu në jug dhe të problemeve të tij, shokë këta që kishin edhe një përgatitje të lartë kulturore e arsimore dhe që po përpiqeshin me të gjitha forcat për bashkimin e komunistëve të të gjithë vendit dhe për krijimin e Partisë Komuniste. Kurse Miladini, të cilin komunistët shqiptarë e çliruan nga kampi i përqendrimit fashist në Peqin, rridhte nga një vend më i vogël se Shqipëria, që nuk e njihte vendin dhe popullin tonë dhe kishte veç përvojën e një drejtuesi partiak krahinor. Komunistët shqiptarë kishin nevojë vetëm për dy gjëra: e para, për një arbitër të urtë, që të mund të ndikonte në shuarjen e grindjeve boshe “ti apo unë” mes grupeve komuniste dhe, më shumë, mes kryetarëve të tyre. E dyta, themeluesit shqiptarë të Partisë Komuniste kishin nevojë për disa instruksione organizative e të tjera të kësaj natyre.

Ballistët e nisën luftën civile në Shqipëri!

Për këto, ata fare mirë mund t’u drejtoheshin komunistëve francezë, me të cilët kishte njohje Enver Hoxha, ose Qemal Stafa, ose mund të lidhej me komunistët italianë. Por komunistët shqiptarë vendosën t’i drejtoheshin PKJ-së, pikërisht duke pasur një arsye më tepër – me synim të largët – lidhjen me Kosovën dhe me komunistët kosovarë për luftërat që na prisnin. Neve na u rekomandua nga forumet komuniste kosovare që ta lironim nga kampi Miladin Popoviqin, i cili ishte një njeri i mrekullueshëm, një komunist internacionalist i vërtetë, që i donte kosovarët, që i deshi dhe shqiptarët. Por, ky kërkoi nga Kosova një ndihmesë. UDB-ja (OZNA, siç quhej atëherë) dërgoi një agjent të regjur, Dushan Mugoshën, që me ligësinë e tij dhe me planet e mbrapshta, i solli shumë fatkeqësi PKSH-së jo vetëm gjatë LNÇ-së, por edhe në vitet e mëpasme.

Partinë Komuniste të Shqipërisë e themeluan dhe e ndërtuan vetë komunistët shqiptarë. Në këto konkluzione të drejta, reale, arriti dhe studiuesi i mirënjohur kosovar, z. Ali Hadri.

Presionet e PKJ-së mbi PKSH-në kanë qenë të forta, por me sekretar politik Enver Hoxhën, ajo nuk mundi ta bëjë Partinë Komuniste të Shqipërisë një filial të saj. PKJ-a zgjodhi rrugë të tjera. Me anën e sekretarit organizativ të PKSH-së, Koçi Xoxe, njëkohësisht ministër të Brendshëm, homolog me antishqiptarin e tërbuar Aleksandër Rankoviq, PKJ-a u fut në organet e Sigurimit të Shtetit shqiptar, ku edhe pas shkëputjes nga ky ndikim, më 1948, la ca fara të egra që mbinin sipas rrymave “klimaterike” që përshkonin Shqipërinë.

enver-dhe-nexhmije-noa– Sipas jush, a ka pasur elemente të luftës civile gjatë rezistencës kundër nazifashizmit?

HOXHA: Nga ana e PKSH-së, e forcave partizane dhe e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar nuk ka pasur, absolutisht, luftë civile, madje as elemente të kësaj lufte. Qenë forcat tjera, siç Balli Kombëtar, me moton e njohur “Liri shqiptarëve – vdekje tradhtarëve” që në emër të nacionalizmit zhvilluan luftë civile, në baza ideologjike, kundër njësive partizane, duke tradhtuar interesat jetike kombëtare me bashkëpunimin e tyre me forcat pushtuese nazifashiste.

– Po për Lëvizjen Antifashiste në Kosovë, ç’ mund të thoni?

HOXHA: Mendoj se Lëvizja Antifashiste në Kosovë ka qenë vendimtare për të ardhmen e Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht se nuk arriti aq sa aspironte dhe meritonte. Mund të merret me mend se ç’do të bënte Jugosllavia e Titos me Kosovën e kosovarët bashkëpunëtorë me nazi-fashizmin. Kosova nuk do të ngrinte më kokën, s’do të kishte më të drejtën as të hapte gojën për pavarësi etj.

Enveri kishte respekt për Fadil Hoxhën…!

Organizimi dhe zhvillimi i Lëvizjes Antifashiste të armatosur në Kosovë dhe te shqiptarët në Maqedoni ka qenë një nga shqetësimet parësore të Enver Hoxhës. Kjo është e dokumentuar në gjitha ato shkrime që ai ka bërë në ato vite. Mbi të gjitha, ka qenë vendimi historik që mori ai, si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë së re Popullore, menjëherë pas Çlirimit të Shqipërisë, ku urdhëroheshin dy divizione të ushtrisë partizane që të vazhdojnë ndjekjen e forcave naziste përtej kufijve shtetërorë, për të ndihmuar vëllezërit kosovarë dhe shqiptarët e tjerë në trojet e tyre, për të fuqizuar luftën e tyre antifashiste çlirimtare. Ky vendim nuk qe i lehtë për Enver Hoxhën dhe shtabin e ushtrisë, po të kemi parasysh psikologjinë personale të çdo partizani, që me çlirimin e vendit priste të gëzonte jetën, të kthehej në familje, të martohej etj. Partizanët shkuan me dëshirë në Kosovë, në Dibër, në Mal të Zi e Sanxhak dhe mbi 300 e ca prej tyre dhanë jetën atje. Këtë nuk e kanë harruar kosovarët e gjithë vëllezërit e trojeve të tjera shqiptare. Enver Hoxha kishte një respekt të veçantë për luftëtarët partizanë kosovarë, në krye të të cilëve ishte personaliteti i njohur kosovar Fadil Hoxha. Po ju tregoj një episod:

Pamë një natë një film mbi luftën e Fadil Hoxhës në krye të forcave partizane kosovare. Pasi kishte kaluar një kohë, Enveri dëgjoi se ky film ishte ndaluar të shfaqej në kinematë tona, me justifikimin se “ishte i lidhur me Fadil Hoxhën, i cili kishte një funksion të lartë në administratën shtetërore të Titos”. Enveri u revoltua me këtë qëndrim të ngurtë, që linte në errësirë luftën e drejtë që kanë bërë vëllezërit kosovarë, gjë që nuk mund t’i mohohet as Fadil Hoxhës, dhe dha porosi që filmi menjëherë të shfaqej për t’u parë nga të gjithë.

Lexo edhe  Sherr në “Kënga Magjike”, Stine gjakos Flori Mumajesin!

Një nderim të veçantë kishte Enveri për trimërinë legjendare të burrave të shquar të Kosovës. Po tregoj prapë një episod me një film tjetër kosovar, që tregonte për trimëritë e një luftëtari. Ky film e emocionoi shumë Enverin. Kur mbaroi filmi dhe vajtëm për të fjetur, Enveri as nuk nisi të lexonte, siç e kishte zakon para gjumit, as nuk po shtrihej të flinte… I them: “Çfarë ke? S’je mirë?”. “S’kam gjë”, më thotë, “jam ende nën impresionin e filmit… Eh! Ç’burra ka pasur Kosova!”

Kur në ditët tona ndodhi legjenda e Adem Jasharit, që u sakrifikua me gjithë familjen, unë kujtova Enverin, që me siguri do të thoshte prapë: “Eh! Ç’burra ka Kosova!” dhe do t’i qante zemra, aq e ndieshme për Kosovën e kosovarët e shumëvuajtur.

enver-dhe-nexhmije-hoxha-6-prill1985-noaPas çlirimit të vendit, a ishte një mundësi për krijimin e shtetit shqiptar në kufijtë e tij natyralë…?

Shqipëria nuk e kishte përkrahjen e Fuqive të Mëdha për ta ndihmuar Kosovën!

HOXHA: Po, që nga vitet e para të pasçlirimit e deri në ditët e sotme. Edhe tani, kur Jugosllavia Federative është thërrmuar, kur pozicionet e fuqive të mëdha perëndimore, ato që i ndanë shqiptarët në katër shtete, kanë ndryshuar lidhur me problemet e Ballkanit dhe disi për çështjen e Kosovës, kur pas masakrave të Milosheviqit dhe luftës së UÇK-së për liri e pavarësi, ajo është bërë çështje ndërkombëtare. Në OKB dhe në institucionet euro-atlantike përsëri ende po vazhdohet të luftohet në instanca botërore kundër aspiratave të kosovarëve dhe shqiptarëve të tjerë për t’u bashkuar në një shtet të vetëm. Po në ato vite, pra 60 vjet më parë, ç’mund të bënte shteti i ri i Shqipërisë së vogël? Është e ditur që Enver Hoxha problemin e pavarësisë së Kosovës dhe të vetëvendosjes së saj për bashkimin me Shqipërinë ia ngriti që në takimin e parë Titos, por dihet edhe përgjigjja e këtij, që i tha: “Kjo s’mund të realizohet tani; këtë nuk do ta pranonin serbët”!

– Është folur kohët e fundit se PKSH ka tradhtuar ose ka anashkaluar interesat shqiptare në Kosovë dhe në vise të tjera…?

HOXHA: Përfolje të tilla janë ngritur nga njerëz që nuk kanë haber nga politika dhe për vendimet a marrëveshjet e fuqive të mëdha, të detyrueshme për t’u respektuar, sidomos kur është fjala për vendet e vogla. Ose, këto përfolje bëhen nga njerëz dashakeq ndaj politikës së shtetit socialist të Shqipërisë dhe udhëheqësit të tij, Enver Hoxhës. Dihet se fuqitë e mëdha aleate anglo-sovjetike në Jaltë, me një laps të kuq në dorë, ndanë zonat e influencës në Evropë e veçanërisht në Ballkan. Shqipëria nuk figuron fare në këto dokumente. Stalini ia la nën sqetull Jugosllavisë, motrës sllave. Në këto kushte, ku t’i mbronte këto interesa të shqiptarëve shteti i ri shqiptar? Është thënë: “Ta ngrinte çështjen e tyre në OKB”. Le që në OKB Shqipëria u pranua vonë, 10 vjet pas mbarimit të luftës, por edhe po ta ngrinte atëherë këtë problem, ç’do të ndodhte pas kësaj? A do ta lejonte një gjë të tillë Jugosllavia, e cila përgatiste gllabërimin e Shqipërisë si republikë të 7-të? A nuk e dinë këta njerëz se në Konferencën e Paqes në Paris, me mbështetjen e hapur të Anglisë, Greqia kërkonte territoret e gjysmës jugore të Shqipërisë? Shqipëria nuk kishte jo vetëm mbështetjen e fuqive perëndimore, por as të Bashkimit Sovjetik, që ishte mik i Jugosllavisë dhe aleat i Anglisë.

Enver Hoxha kishte pjekurinë e një burri shteti dhe nuk mund t’i hynte një aventure “me mullinjtë e erës”. Por, ai bëri diçka që të mund të merrej më shumë me Kosovën: në vitin 1953 hoqi dorë nga funksioni i kryeministrit, duke mbajtur vetëm atë të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, me synimin që në kuadrin e një lufte ideologjike kundër revizionizmit e titizmit të demaskonte e të denonconte shkeljet e të drejtave që u bëheshin kosovarëve e shqiptarëve të tjerë në trojet e tyre në Jugosllavi, pa krijuar incidente të karakterit shtetëror me shtetin jugosllav.

Enveri ka qenë faktor stabilizues në Ballkan!

Dhe, ndër vite ai e ka marrë publikisht në mbrojtje dhe e ka ngritur fort zërin për të drejtat e Kosovës. Nuk është e rastit që analistë e politikanë perëndimorë në ditët e sotme po shkruajnë: “Enver Hoxha, me politikën e tij, ka qenë faktor stabilizues në Ballkan”. Enveri, gjithashtu, në takimet me shqiptarë të diasporës, bëri me dije se vëllezërit kosovarë duhet të kuptojnë se parësore për ne është “të ruajmë këtë copë tokë të lirë e të pavarur” dhe se është jetike e në të mirë të të gjithë shqiptarëve matanë kufirit që të kemi një shtet të fortë e të qëndrueshëm.

– Cilat kanë qenë arsyet që Shqipëria shkëputi përfundimisht marrëdhëniet me anglo-amerikanët dhe u mbështet te Bashkimi Sovjetik?

HOXHA: Pjesërisht, edhe për këtë pyetje, përgjigjja është e lidhur me faktorët që u përmendën më lart: si ndarja e zonave të influencës nga fuqitë e mëdha etj. Por, në këtë çështje zgjedhja u bë kryesisht duke u mbështetur në përvojën historike, veçanërisht në rolin e Anglisë në Traktatin e Londrës të 1913-s. Shteti i ri sovjetik dhe Lenini e kishin denoncuar këtë traktat dhe partizanët shqiptarë ishin të vetëdijshëm se pa luftën e Ushtrisë së Kuqe, kundër hordhive hitleriane, nuk mund të çlirohej Shqipëria, ndonëse asnjë këmbë ushtari sovjetik nuk shkeli në tokën shqiptare. Nga ana tjetër, këtu ndikoi edhe fakti që shumica dërrmuese e drejtuesve shqiptarë, që udhëhoqën LNÇ-në, ishin me pikëpamje e me formim revolucionar. Prandaj, është e kuptueshme, anonin nga një sistem që i përshtatej më mirë një populli si yni, me aspirata shekullore për të dalë nga varfëria e prapambetja.

– Pas vitit 1944, PKSH ose PPSH është akuzuar për tejkalim të luftës së klasave…?

HOXHA: Të gjitha sistemet janë të bazuara në klasa të ndryshme; të gjitha ato kanë zhvilluar luftën e klasave… Shoqëria pa klasa ende nuk ka lindur. Edhe shoqëria jonë socialiste ishte në tranzicion dhe është zhvilluar lufta e klasave, për shkak të rrezikut që përfaqësonin klasat e përmbysura. Shqipëria e vogël ishte e detyruar të bënte një luftë për ekzistencë, kundër bandave e qindra diversantëve që ishin nga radhët e klasave të përmbysura, të mbështetura e të financuara, si nga forca antishqiptare fqinje, ashtu edhe nga fuqi të mëdha imperialiste.

Por, duhet të them se në vendin tonë lufta e klasave në të kaluarën është bërë në bazë të një vije të drejtë, në bazë të ligjeve në fuqi. Nuk e mohoj që ato kanë qenë të forta, por kjo ka qenë një luftë për ekzistencë, e imponuar nga forcat reaksionare të jashtme e të brendshme. Për sa kohë jetoi Enveri, Shqipëria ishte një vend i pavarur dhe populli shqiptar i bashkuar…

– Çfarë kujtoni nga goditja e të ashtuquajturave “grupe armiqësore”, që nga Anastas Lulo e deri te Mehmet Shehu?

Mehmet Shehu ishte agjent!

HOXHA: Edhe goditja ndaj të ashtuquajturave “grupe armiqësore” është e lidhur me ato që thashë më lart, për luftën e klasave, veçse kjo ka qenë një luftë brenda “vetit”, siç përdoret kjo fjalë nga kosovarët. Këto grupe janë dënuar si antipartiake, që kanë vepruar në kundërshtim me statutin që e kishin miratuar edhe vetë. Por, në monizëm, kur partia e shteti janë të pandarë, veprimtaria e këtyre grupeve ka qenë antishtetërore dhe antikombëtare; ishte në kundërshtim me vijën e zhvillimeve në fusha të ndryshme të ekonomisë, të kulturës, të mbrojtjes etj.

Drejtimi i këtyre grupeve nga kuadro të zgjedhura në forumet e larta të partisë përbënte faj, për të cilin ata duhej të përgjigjeshin. Megjithëse ata janë dënuar në bazë të ligjeve në fuqi, vendimet gjyqësore që u morën ndaj disave prej tyre, si ndaj atyre të kulturës e arteve, kanë qenë më të rënda se ç’duhej. Por, duhet ditur se viti 1973 ka qenë një vit i mbrapshtë, që pati një gjallërim të elementit armik e agjenturor, edhe në mjaft elementë të fushës së kulturës e arteve. Sidoqoftë, këta elementë në fushën e kulturës dhe të ekonomisë nuk kishin fuqinë që të ndryshonin sistemin socialist apo ta rrëzonin pushtetin popullor. Mirëpo, komploti i disa ushtarakëve të lartë ishte një kërcënim real dhe i rrezikshëm për shtetin dhe pavarësinë e tij.

Nuk do të ndalem këtu për rolin e Mehmet Shehut në lidhje me veprimtarinë e këtyre grupeve sepse së shpejti do të jap për botim një libër me shënime historike dhe kujtime: “Për marrëdhëniet midis Enver Hoxhës e Mehmet Shehut”. Derisa Mehmet Shehu vrau veten, kujtimet e mia për rrethanat pse vrau veten do të tregojnë se si u zbulua veprimtaria e tij agjenturore.

– Çfarë vlerësoni se është bërë mirë në periudhën e sistemit socialist të drejtuar nga bashkëshorti juaj?

HOXHA: Është e vështirë të përmbledhësh arritjet e një gjysmëshekulli. Mbreti Zog la një Shqipëri gjysmëfeudale, të prapambetur, të varfër dhe me një popullsi në masë analfabete. Gjatë sistemit socialist shoqëria shqiptare u ngrit në nivelin e një shoqërie të emancipuar. Nga kovaçanat u kalua në ngritjen e një industrie të fuqishme, nga parmenda e drurit u arrit në një bujqësi moderne, nga pisha e kandili u bë elektrifikimi i gjithë vendit, deri në malësitë më të thella. Sistemi socialist siguroi bukën në vend, realizoi shfrytëzimin e pasurive tokësore e nëntokësore, siguroi punë dhe arsim për të gjithë.