Klanet nuk po e lejojnë zhvillimin e futbollit

Klanet nuk po e lejojnë zhvillimin e futbollit

Shperndaje në Facebook.

auto_1912_Futboll1482221127

Shumë fajtorë për krizën financiare të klubeve

“Në destabilizimin e klubit ndikon shumë edhe keqmenaxhimi, e sidomos nga njerëz që nuk kanë njohuri për lojën e futbollit. Por, edhe zhvatja e të hyrave në FFK nga vetë krerët e kësaj federate, dhe sundimi klanor dhe familjarizimi, lëre që nuk ndihmon klubet, por ndalon zhvillimin dhe ngritjen e futbollit të Kosovës”, ka thënë Nexhmedin Bunjaku

Se futbolli i Kosovës është në rënie e sipër, dëshmon më së miri kriza financiare e shumë klubeve, ku disa mezi po mbijetojnë, disa pritet të hyjnë në krizë, kurse disa vetëm janë dorëzuar. Federata e Futbollit e Kosovës, sipas zyrtarëve të saj, nuk mundet t’i ndihmojë financiarisht klubet, pasi këtë e ka të ndalur edhe nga FIFA, por ky institucion ka kujtuar se pranimi në UEFA e FIFA ka hapur shumë mundësi, vetëm duhet punë dhe njerëz të aftë nëpër klube, të cilët do të dinin të thithnin fonde. Gjithsesi, tash për tash situata në terren nuk është aspak e mirë dhe për këtë, përgjegjësi nuk merr askush. Problemet e fundit të shfaqura te disa klube, mund të merren si një sinjal i rrezikshëm për të ardhmen e futbollit tonë. Njohësi i mirë i futbollit kosovar, Nexhmedin Bunjaku ka akuzuar rëndë Federatën e Futbolli të Kosovës dhe institucionet të cilat janë të paafta për të gjetur një zgjidhje që do t’u mundësonin klubeve të funksionojnë me lehtë. “Rrezikshmërinë e krizës financiare e kem pasqyrë nga e kaluara ku u shuan disa klube, të cilat në një kohë të caktuar kishin rol të veçantë në futbollin e Kosovës, duke u cilë- suar si klube të sukseseve dhe, për fat të keq, këto klube nuk mundën më të ringjallen”, ka thënë Bunjaku, shkruan gazeta Kosova Sot.

Shumë dilema

Ku është shkaku, dhe çka po ndikon që klubet në futbollin e Kosovës mos të jenë stabile (me përjashtim të 3-4 klubeve)? Sipas Bunjakut, ka disa arsye. “Së pari, është ligji për sponsorim shkaktari kyç që klubet po kanë telashe me financim, me infrastrukturë dhe kushte të tjera për punë. Duke mos ekzistuar ky ligj, ku në të vërtetë ligji ekziston, por ende nuk është aprovuar për arsye të neglizhencës së pushtetarëve, të cilët sportin e shohin dhe e vlerësojnë vetëm për t’u lavdëruar dhe të bëjnë foto, të fitojnë poenë politikë në krah të sukseseve të sportistëve, dhe të bëjnë një bum politik ditor, asgjë më shumë. Ky është turpi më i madh i pushtetit që nuk aprovon ligjin për sport-sponsorim, pasi tashmë KOK-u është i pranuar në KON, dhe të gjitha Federatat janë të pranuara në instancat më të larta ndërkombëtare, kështu që ligji është i domosdoshëm”, ka thënë Bunjaku.

Lexo edhe  Ja nga erdhi tërmeti që dridhi Shkupin, Prishtinën e Tiranën (Foto)

Fajtore edhe FFK-ja

Për ish- gjyqtarin e njohur kosovar, faktori tjetër për mos-stabilitetin financiar të shumicës së klubeve të futbollit të Kosovës është edhe FFK-ja ,e cila në asnjë mënyrë nuk ndihmon klubet, e mundësitë për t’i ndihmuar i ka. “FFKja është shpërblyer-bonus nga FIFA (1.250,000 euro) dhe nga UEFA (3.750.000 euro), plus të hyrat nga të drejtat televizive, sponsorët, të hyrat nga biletat e ndeshjeve të Përfaqësueses, mjetet e ndara nga MKRS-ja, etj., por ajo nuk i ndihmon, sepse klani që ka ngritur monopol mbi këtë Federatë e ka uzurpuar dhe e çmon si pronë të veten private”, ka thënë i zhgënjyer Bunjaku, i cili e ka të qartë se mundësitë tash janë shumë të mëdha. “Tash pas pranimit të plotë në UEFA dhe FIFA, dyert e të gjitha Federatave të botës janë të hapura për FFK-në, por këtë nuk dinë dhe nuk kanë aftësi të shfrytëzojnë krerët e FFKse. Drejtuesit e FFK-së duhet të shkojnë derë me derë dhe të kërkojnë së paku përvojën e tyre, të kërkojnë njohurinë se si të sillen donatorë e sponsorë nga jashtë, të kërkojnë njohuri sesi të thithen donacione nga këto dy instanca, pra FIFA dhe UEFA, të lidhin bashkëpunim me federata të forta botërore etj,etj.”, tha Bunjaku, duke vazhduar: “Krerët e FFK-së kanë kërkuar përvoja në dy apo tri federata, si Kroaci, Slloveni, Turqi, por këto federata nuk janë të kalibrit të Holandës, Italisë, Belgjikës, Francës, Spanjës, Gjermanisë,Brazilit, Argjentinës,etj,etj. Unë mendoj se nëpër këto federata duhet të trokitet në derë dhe të kërkohen përvojat, por pse jo edhe ndihma”, vlerësoi Bunjaku, i cili sigurisht që për këtë situatë fajëson edhe vetë klubet. “Sigurisht që në destabilizimin e klubit ndikon shumë edhe keqmenaxhimi, e sidomos nga njerëz që nuk kanë njohuri për lojën e futbollit, si një industri që është. Zhvatja e të hyrave në FFK nga vetë krerët e kësaj federate, dhe sundimi klanor dhe familjarizimi brenda federatës ,lëre që nuk ndihmon klubet, por e ndalon zhvillimin dhe ngritjen e futbollit të Kosovës”, ka përfunduar Nexhmedin Bunjaku.

(Kosova Sot)