Pediatrët italianë: Jo celularë për fëmijët

Pediatrët italianë: Jo celularë për fëmijët

SHPËRNDAJE
loading...

Humbje përqendrimi, vështirësi në kuptueshmëri dhe agresivitet. Sipas pediatërve, celularët nuk duhet t’u jepen fëmijëve nën 10 vjeç, sepse përdorimi “po transformohet gjithnjë e më shumë në një abuzim” dhe efektet e reja të valëve elektromagnetike për shëndetin “po bëhen gjithnjë e më të dukshme”. Këto janë përfundimet në të cilat ka arritur Shoqata Italiane e Pediatrisë Parandaluese dhe Sociale. “Sot nuk njohim të gjitha pasojat e përdorimit të celularëve, – saktëson presidenti i shoqatës, – por përdorimi i tepërt mund të çojë në humbjen e përqendrimit dhe kujtesës, përveçse të uljes së aftësisë për të kuptuar dhe rritje të përqendrimit e shqetësime gjatë gjumit”.
Edhe shifrat gjithashtu janë alarmante. “Italia, – thotë pediatrja Maria Gracia Sapia, eksperte e ambientit dhe fëmijëve, – vlerësohet në vendin e parë në Evropë për numrin e telefonave të përdorur nga fëmijët”. Ndërsa bëhet fjalë për transmetues të vegjël që normalisht mbahen pranë kokës gjatë përdorimit, efektet mbi shëndetin po bëhen gjithnjë e më të dukshme dhe shumë janë efekte të pakthyeshme: ndërhyrja e fushës elektromagnetike me sistemin biologjik shkakton rritje të lokalizuar të temperaturës dhe kur ky ekspozim është i gjatë ose intensiv mund të tejkalojë mekanizmin e vetërregullimit duke çuar në vdekjen e qelizave me vdekje të indeve”.
Por përkrah problemeve biologjike janë edhe ato psikologjike. “Bashkë me varësi të tjera që shoqërojnë shoqërinë tonë dhe sidomos të rinjtë, si p.sh. droga, alkooli dhe duhani, një vend të rëndësishëm ka kapur varësia nga telefoni, me dëme tepër të mëdha në zhvillimin psikik dhe shoqëror”, thotë pediatrja Sapia. Ndaj duhet patjetër që pediatrit, linjat e këshillimit të ndalojnë tërësisht përdorimin e telefonit për moshat nën 10 vjeç dhe të kufizojnë përdorimin e tyre në moshat e mëpasshme. “Pediatrit duhet të përditësohen lidhur me këto argumente”, përfundon Sapia.
Mos përdorni celularin mbi 30 minuta në ditë
Njerëzit, të cilët përdorin telefonat celularë intensivisht, duket se kanë më tepër rrezik në zhvillimin e disa tipeve të kancerit të trurit, thonë shkencëtarët francezë, ndërsa iu përgjigjen pyetjeve për sigurinë e telefonit
Personat, të cilët përdorin telefonat celularë më shumë se 30 minuta në ditë për një periudhë mesatarisht 5-vjeçare janë 2-3 herë më të prirur për t’u prekur nga tumoret e gliomës dhe meningliomës. Studimi, i cili është botuar në numrin e fundit të revistës britanike “Ocupational and Environmental Medicine” është studimi më i fundit lidhur me sigurinë e telefonave celularë. Në 15 vitet e fundit shumë studime kanë dështuar për të dhënë rezultate të qarta lidhur me përdorimet e celularëve, megjithëse mund të kenë gjetur një lidhje mes gliomës dhe përdorimit të gjatë të celularit. “Studimi ynë është në të njëjtin drejtim, por rezultatet duhet të konfirmohen”, thotë Isabelle Baldi e Universitetit të Bordosë në jugperëndim të Francës.
Në vitin 2011 Agjencia Ndërkombëtare e Studimeve mbi Kancerin (IARC) deklaroi se fushat e radiofrekuencës të përdorura nga telefonat celularë mund të jenë kancerogjene. Sidoqoftë kërkuesit janë përballur me sfida të ndryshme, duke përfshirë të pasurit e një tabloje më të qartë lidhur me përdorimin e celularit në jetën tonë, si dhe faktorë të tjerë si duhani, i cili gjithashtu e rrit rrezikun e kancerit. Studimi i ri përfshiu 253 raste të gliomës dhe 194 raste të meningimonës të raportuar në katër reparte franceze në vitet 2004-2006. Këta pacientë u krahasuan me 892 individë të shëndetshëm. Krahasimi zbuloi një rrezik më të lartë mes personave që përdornin celularët intensivisht, sidomos mes atyre që e përdornin për punë, si shitjet. Koha e përdorimit në këtë kategori shkonte nga 2-10 vjet, me një mesatare prej 5 vjetësh. Megjithatë studiuesit kanë edhe disa dilema, si për shembull: kanceri zhvillohej në krahun e kundërt të trurit dhe jo në krahun ku mbahej celulari zakonisht. “Është e vështirë të përcaktojmë nivelin e rrezikut, sidomos duke qenë se teknologjia vazhdon të zhvillohet”, thuhet në studim, ndërsa theksohet se janë edhe më të nevojshme studimet e mëtejshme.
Celularët rrisin mundësinë për kancer në tru
Agjencia Ndërkombëtare e Kërkimeve mbi Kancerin dhe OBSH-ja kanë klasifikuar fushat elektromagnetike si kancerogjene të mundshme, duke u bazuar në një risk të rritur për glioma, një lloj kancer i trurit, i lidhur me përdorimin e valëve të telefonit dhe të kompjuterit
Gjatë viteve të fundit është rritur vëmendja tek efektet shëndetësore negative që vijnë si rezultat i ekspozimit ndaj valëve të fushës elektromagnetike, valëve të emetuara nga ëirelessi i internetit, celularëve dhe mjeteve të tjera. Numri total i telefonave në të gjithë botën llogaritet 5 miliardë. Më 24-31 Maj 2011, një grup prej 31 shkencëtarësh nga 14 shtete u mblodhën në Francë për të vlerësuar rreziqet kancerogjene të valëve nga mjetet e telekomunikacionit. Në këtë takim u diskutua mundësia që këto ekspozime mund të shkaktojnë efekte shëndetësore afatgjata, në veçanti një risk të rritur për kancer. Kjo ka shumë rëndësi për shëndetin publik, veçanërisht për përdoruesit e celularëve, duke qënë se numri i përdoruesve është në rritje, si për fëmijët dhe të rinjtë.
Ka disa mënyra ekspozimi të njerëzve ndaj këtyre valëve në jetën e përditshme:
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj radarëve dhe mikrovalëve.
Ekspozimi mjedisor i lidhur me transmetimin e sinjaleve të radios, televizionit dhe valëve të telekomunikacionit.
Ekspozimi personal i lidhur me përdorimin e telefonave celularë.
Studimet
Studimet evidentojnë që emetimi i valëve rrit rrezikun për glioma dhe neuroma akustike. Një nga këto studime ishte ai i vitit 2004 që tregoi një risk të rritur prej 40% për glioma tek kategoria që përdor më tepër mjetet e telekomunikacionit (një mesatare prej 30 minutash në ditë për një periudhë prej 10 vitesh)
Konkluzionet e këtyre studimeve që mund t’i quajmë alarmante, theksojnë edhe një herë që është përgjegjësi e strukturave të shëndetit publik për të informuar vazhdimisht popullatën lidhur me rreziqet e ekspozimit të zgjatur ndaj valëve të fushës magnetike, si dhe marrjen e masave brenda mundësive për reduktimin e ekspozimeve të mundshme.
Kompjuterët, të dëmshëm për sytë para moshës 10-vjeçare
Okulistja Suzana Zhuka thotë se nuk është mirë që fëmijët nën 10 vjeç të përdorin celularë apo kompjuter, pasi ato ndikojnë në zhvillimin e syrit të fëmijës
Doktoreshë, sa dhe si ndikon teknologjia (celulari, kompjuteri dhe televizori) në sytë e fëmijës?
Syri vazhdon zhvillimin dhe forcimin e muskujve të tij (muskujt rektus, dekstra, sinistra, oblikus etj) që janë muskujt e drejtë dhe oblik të syrit që realizojnë lëvizshmërinë e bulbit (globi i syrit). Ky zhvillim i syrit vazhdon deri në moshën 10-vjeçare. Nëse në një fëmijë që normalisht i ka muskujt e dobët i vendosim një kompjuter apo ipad, sytë fillojnë të konvergojnë sepse distanca është shumë e afërt. Pra, krijohet strabizmi i cili shoqërohet me ambliopi dhe hipermetropi. Pra, kanë shumë rrezik për fëmijët. Ndaj deri në moshën 10-vjeçare nuk duhet t’u blejmë asnjë lojë elektronike. Madje as kompjuter sepse një fëmijë 5 apo 6 vjeç nuk i nevojitet një i tillë, pasi nuk është as në shkollë. Megjithëse kompjuterët janë me ekran mbrojtës, rrezatimi i tij ndikon edhe në korne (xhami i syrit) duke e tharë atë. Në vitet e fundit po konstatojnë shumë raste me sy të thatë (dry eye sindrom) nga përdorimi i kompjuterit. Këtu bëjnë pjesë më së shumti studentët, pasi rrinë me orë të tëra përpara kompjuterit. Si rrjedhojë kanë të nevojshëm lotin natyral për të mos tharë xhamin e syrit. Pikërisht për këtë arsye syri mbyllet dhe hapet shumë herë gjatë ditës pa vetëdijen tonë për të njomur xhamin e syrit.
Fëmijët mbi 10 vjeç, sa orë duhet të rrinë përpara kompjuterit?
Quhet higjiena e të parit. Jo vetëm tek fëmijët, por edhe tek të rriturit. Duhet të rrinë afro 45 min përpara kompjuterit dhe pastaj duhet bërë një pushim. Higjiena e të parit konsiston në parjen në horizont. Kështu ne bëjmë dhe shplodhjen e syrit. Sepse ambienti i mbyllur nuk na çlodh syrin. Ne nuk e dimë se çfarë është higjiena e të parit, ne kujtojmë se duhet të lajmë sytë. Jo! Higjiena e të parit është pushimi që ka nevojë syri për të parë në horizont sa më larg rreth 10 apo 15 minuta.
Disa këshilla për prindërit?
Ata duhet të kenë shumë kujdes me fëmijët. Nuk duhet t’u plotësojnë çdo dëshirë fëmijëve përsa i takon lojërave elektronike apo qëndrimit me orë përpara kompjuterit. Shumë prindër “çlirohen” duke lënë fëmijët përpara lojërave elektronike në kompjuter apo celular. Është e gabuar sepse fëmijët kanë nevojë për lojëra fizike me moshatarët e tyre.

Lexo edhe  Kosova me “Shok” në Oscar, Serbia fiton në Porno!

11

Loading...

loading...